Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja
Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e së premtes banorët në Suharekë, duke bërë që në vendin e ngjarjes të dalin njësitë e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 19:30, në rrugën “Milaim Bajrami”, pasi një qytetar njoftoi se kishte dëgjuar të shtëna nga një zonë e mbuluar me lisa, ku nuk ishte e mundur të identifikoheshin personat e përfshirë.
Pas daljes në terren, patrullat policore nuk kanë hasur në asnjë person të dyshuar.
Megjithatë, gjatë kontrollit të lokacionit, njësia e Krimteknikës ka gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja të një arme të shkurtër, me kalibër ende të panjohur.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë shtënë me armë.