Zbardhet vrasja e Doktorit në Shkup, arrestohet një çift bashkëshortësh
Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe pas hetimeve të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme, janë siguruar prova që ngrejnë dyshime të bazuara se një 65-vjeçar ka kryer veprën penale **”Vrasje”**, ndërsa bashkëshortja e tij 59-vjeçare dyshohet për **ndihmë në kryerjen e krimit**.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më **21 mars 2024**, në një parking në lagjen **Avtokomandë** të Shkupit, ku i dyshuari me paramendim e ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin **Aco Trpovski**.
Hetimet tregojnë se gruaja e dyshuar kishte lënë takim me viktimën në vendin e ngjarjes. Pak pasi ajo kishte hyrë në automjetin e tij, në vend mbërriti bashkëshorti i saj. Ai hapi derën e makinës, e nxori viktimën jashtë dhe pas një debati verbal, nxori një thikë duke i shkaktuar **nëntë plagë me thikë** në gjoks dhe pjesë të tjera të trupit, plagë nga të cilat viktima humbi jetën.
Pas vrasjes, bashkëshortët vendosën trupin e pajetë në sediljen e përparme të automjetit. Më pas, i dyshuari e drejtoi makinën deri te parkingu i **Poliklinikës Zhelezara**, ku e vendosi viktimën në ulësen e shoferit. Ndërkohë, gruaja dyshohet se fshiu gjurmët nga automjeti për të fshehur provat, pas së cilës të dy u larguan nga vendi.
Prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së **paraburgimit** për të dyshuarit.