Therje me thikë në sheshin “Skënderbeu”– ky është 20-vjeçari që po lufton për jetën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku një 20-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua me thikë nga persona ende të paidentifikuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Bujar Halili 20-vjeçar.

Sipas informacioneve, Policia fillimisht u njoftua për një përleshje në shesh, por patrullat që dolën në vendin e ngjarjes nuk hasën në persona të lënduar. Pak minuta më vonë, u konfirmua se një i ri ishte dërguar në Qendrën Emergjente të QKUK-së, ku mjekët konstatuan se ai kishte marrë dy plagë nga thika në shpinë.

Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se goditjet i kanë prekur organe vitale, ndërsa i riu po trajtohet në QKUK.

Sipas deklaratës së vëllait të viktimës, ai ndodhej së bashku me Bujarin në Sheshin “Skënderbeu”, kur papritur tre persona iu afruan. Njëri prej tyre fillimisht e shtyu viktimën dhe më pas e goditi me thikë, ndërsa të dyshuarit u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitari ka deklaruar se nuk i njeh autorët e sulmit.

Hetuesit policorë kanë zhvilluar veprimet e para hetimore në QKUK dhe, në koordinim me Prokuroren kujdestare, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.