Arrestohen dy mjekë në Shkup! – Ja per qfar dyshohen?
Në kuadër të procedurës hetimore që po udhëhiqet nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të përfshirë në importin, shpërndarjen dhe aplikimin e paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore, gjatë ditës së djeshme u kryen kontrolle në pesë lokacione në Shkup, mes tyre edhe në dy institucione shëndetësore. Gjatë aksionit u arrestuan tre persona, prej të cilëve dy janë mjekë, njoftoi Prokuroria.
“Sipas provave të mbledhura, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave. Tre të dyshuar ngarkohen për veprat penale ‘bashkim kriminal’ dhe ‘shkelje e të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj’, ndërsa një person dyshohet vetëm për veprën penale ‘shkelje e të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj’. Me propozim të prokurorit kompetent, gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup u caktoi të katër të dyshuarve masa kujdesi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti është hapur në muajin prill të këtij viti, kur u lëshua urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj 17 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale ‘bashkim kriminal’, ‘shkelje e të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj’ dhe ‘marrje ryshfeti’.
Hetimet vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të rastit dhe përcaktimit të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë, theksojnë nga Prokuroria.