Lajmi keq për mërgimtarët. Bie dukshëm kërkesa e Gjermanisë për punëtorë
Numri i vendeve të lira të punës në Gjermani ra me 3.9% në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke arritur nivelin më të ulët në më shumë se pesë vjet.
Nga 38 profesionet e analizuara, rritje është shënuar vetëm në gjashtë, prej të cilave tre i përkasin sektorit të shëndetësisë.
Sipas të dhënave të portalit kryesor të punësimit, indeksi i tregut të punës në Gjermani ra nga 110 në 106 pikë gjatë periudhës prill–qershor. Krahasuar me nivelet rekord të pranverës së vitit 2022, aktualisht në Gjermani ka 39% më pak vende të lira pune.
Arsyeja kryesore e këtij rënieje lidhet me parashikimet më pesimiste ekonomike. Rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga lufta në Iran, ngadalësoi rimëkëmbjen e ekonomisë gjermane, duke bërë që qeveria federale të ulë parashikimin për rritjen e PBB-së në vitin 2026 në vetëm 0.5%.
Edhe pse numri i vendeve të përhershme të punës në qershor ishte mbi 10% më i ulët krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, numri i vendeve sezonale dhe verore mbeti në nivelin e vitit të kaluar.
Shëndetësia është sektori i vetëm që po shënon rritje të kërkesës për punonjës.
Rritja më e madhe është regjistruar në stomatologji, ku kërkesa për fuqi punëtore është rritur me 25.3%. Konkretisht, kërkesa është rritur për:
* Stomatologë (+28.2%),
* Asistentë stomatologjikë (+26.1%),
* Specializantë në stomatologji (+29%).
Rritje të kërkesës ka edhe në fusha të tjera të shëndetësisë:
* Profesionet terapeutike (+3.6%):
* Fizioterapistë (+11.5%),
* Terapistë okupacionalë (+7.9%).
* Teknologjia mjekësore (+3.6%):
* Asistentë në sallat e operacionit (+23.6%),
* Optikë (+21.7%),
* Personel i urgjencës mjekësore dhe ndihmës mjekësorë (+19.2%).
Përveç rënies së numrit të vendeve të lira të punës, analistët paralajmërojnë edhe ngadalësim të rritjes së pagave. Deri në qershor, rritja vjetore e pagave nominale në shpalljet e punës ra në 2.8%.
Për shkak të rritjes së inflacionit në Gjermani në 2.9%, rritja reale e pagave kaloi në territor negativ, duke zbritur nga -0.1% në -0.3%. Para shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja reale e pagave ishte 1.7%.
Ekspertët parashikojnë se punëtorët në Gjermani do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë rritje reale të fuqisë blerëse në muajt në vijim.