Tragjedi e rëndë në një resort të njohur: Humb jetën një vajzë e mitur, babai dhe motra e saj rezultojnë të zhdukur
Një shëtitje me **jet-ski** për një familje irakiane në **Bodrum të Turqisë** përfundoi në tragjedi. Një vajzë e mitur është gjetur pa shenja jete pranë ishullit **Kos**, ndërsa babai dhe motra e saj vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Sipas mediave greke, nëna e familjes njoftoi autoritetet turke se jet-skia me të cilën po lëviznin ishte përmbysur në det. Autoritetet turke, të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit, kërkuan edhe ndihmën e autoriteteve greke për të verifikuar nëse familja ishte nisur në drejtim të ishullit Kos.
Roja Bregdetare greke gjeti një vajzë të mitur pa ndjenja në verilindje të ishullit Kos. Ajo u transportua menjëherë në Spitalin e Përgjithshëm të Kosit, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.
Operacioni i kërkimit vazhdon për gjetjen e babait dhe motrës së vajzës, të cilët ende figurojnë të zhdukur. Në operacion është përfshirë edhe një helikopter i Forcave Ajrore greke, ndërsa në zonë fryjnë erëra veriperëndimore me forcë pesë ballë.