Zbardhet vr.asja e 19-vjeçarit në Itali! Arrestohen tre persona, mes tyre një me origjinë shqiptare

Tre persona janë arrestuar në Itali si të dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Youssef Rama Abdelaziz, i cili humbi jetën pas një sulmi me thikë në qytetin e Cremës, gjatë natës mes 11 dhe 12 korrikut.

Sipas mediave italiane, viktima u godit disa herë me thikë në gjoks gjatë një përleshjeje mes dy grupeve të rinjsh në parkingun e një supermarketi në Viale Repubblica. Pasi u plagos, 19-vjeçari arriti të largohej për disa metra, por u rrëzua dhe ndërroi jetë më vonë në spital.

Karabinierët arrestuan tre persona të moshës 23 deri në 25 vjeç, mes tyre edhe një shtetas me origjinë shqiptare. Dy të dyshuarit e tjerë janë me origjinë afrikane.

Sipas hetimeve paraprake, një dëshmitar okular ka identifikuar njërin prej të dyshuarve, ndërsa hetuesit janë ndihmuar edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja.

Autoritetet po hetojnë pistën se krimi mund të ketë ndodhur pas një konflikti mes grupeve rivale, ndërsa dinamika dhe motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Tre të arrestuarit pritet të dalin para gjyqtarit hetues gjatë ditës së sotme.