Mergimtare kujdes! Rregulla të reja për udhëtarët në transportin ajror nga viti 2027
**Rregulla të reja për udhëtarët në transportin ajror nga viti 2027**
Sipas rregullave të reja, fëmijët nën moshën 14 vjeç do të kenë të drejtë të ulen pranë prindërve të tyre në avion pa pasur nevojë të paguajnë tarifë shtesë për zgjedhjen apo rezervimin e ulëses. Kjo e drejtë do të vlejë edhe për gratë shtatzëna, si dhe për personat me lëvizshmëri të kufizuar që udhëtojnë me shoqërues.
Rregullat e reja për të drejtat e pasagjerëve në transportin ajror në Bashkimin Evropian pritet të miratohen zyrtarisht nga ministrat e vendeve anëtare, duke përmbyllur procedurën e fundit para hyrjes së tyre në fuqi.
Reformat, të cilat më herët kanë marrë mbështetjen e Parlamentit Evropian, pritet të fillojnë të zbatohen në mesin e vitit 2027 dhe do të sjellin të drejta shtesë për familjet që udhëtojnë, personat me aftësi të kufizuara dhe udhëtarët me lëvizshmëri të kufizuar.
Sipas rregullave të reja, fëmijët nën 14 vjeç do të mund të ulen pranë prindërve pa pagesa shtesë për rezervimin e ulëseve. E njëjta e drejtë do të zbatohet edhe për pasagjeret shtatzëna dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar që kanë nevojë për shoqërues.
Kompanitë ajrore do të jenë të detyruara të korrigjojnë pa pagesë gabimet drejtshkrimore apo gabimet në emrat e pasagjerëve të shënuar në bileta. Gjithashtu, ato nuk do të lejohen të kërkojnë pagesë për printimin e kartelave të imbarkimit për pasagjerët që janë regjistruar për fluturim.
Rregullorja e re synon të rrisë mbrojtjen e udhëtarëve dhe të përcaktojë më qartë detyrimet e kompanive ajrore brenda transportit ajror në BE.
Sa i përket kompensimeve për pasagjerët në rast të vonesave apo anulimit të fluturimeve, rregullat ekzistuese do të mbeten kryesisht të pandryshuara, pavarësisht mosmarrëveshjeve disa-vjeçare mes vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian lidhur me ndryshimet në këtë pjesë të rregullores.