Vjedhje e madhe në një market në Klinë, hajnat marrin rreth 20 mijë euro – Policia jep detaje
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Zajm të Klinës, ku cak i hajdutëve ishte marketi “Nora”, siç ka mësuar Insajderi.
Persona ende të paidentifikuar dhe të maskuar kanë arritur të vjedhin një shumë prej rreth 20 mijë eurosh.
Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili dha detaje mbi mënyrën se si u krye vjedhja.
Sipas tij, autorët kanë përdorur një metodë të pazakontë për të depërtuar brenda biznesit.
“Mbrëmë dyshohet se disa persona të maskuar në fshatin Zajm të Klinës, në një biznes, kanë shpuar murin dhe kanë hyrë duke vjedhur rreth 20 mijë euro”, deklaroi Nikçi.
Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Policisë, në koordinim të plotë me Prokurorinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.