Tronditëse: Zbulohen detajet nga banesa e të riut që u gjet pa shenja jete

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të dielën në Mitrovicë, ku një 25-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën ku jetonte me qira.

Sipas informacioneve, rasti është zbuluar pasi një familjar i të riut kishte kontaktuar pronarin e banesës, duke shprehur shqetësimin se ai nuk po u përgjigjej telefonatave prej rreth 24 orësh.

Pronari i banesës, i shoqëruar nga një punëtor për hapjen e bravave, ka hapur derën e banesës, ku ka gjetur të riun të shtrirë pa shenja jete në dhomën e gjumit. Menjëherë pas kësaj është njoftuar Policia e Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës, hetuesit rajonalë, Prokurori i Shtetit, si dhe ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë kryer ekzaminimet përkatëse.

Gjatë kontrollit të banesës, sipas burimeve të hetimit, janë gjetur substanca të dyshuara narkotike dhe tableta të ndryshme. Të gjitha këto materiale janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.