Skandal? I riu i shpëtoi ekstradimit në Gjermani, arrestohet polici që dyshohet se e ndihmoi
Një i ri ishte ndaluar së fundi nga policia me qëllim ekstradimin e tij në Gjermani. Gjykata duket se kishte vendosur arrest shtëpie ndaj Amir Muaremi i shpëtoi qëndrimit në qelitë shqiptare.
Por, për të shmangur edhe qelitë gjermane, i riu duke përfituar nga rasti që ishte nën masën e butë të sigurisë, arrest shtëpie, mori arratinë dhe u zhduk në drejtim të paditur.
Kur autoritetet shkuan në banesë, mesa duket për ta dërguar me pranga në Gjermani, ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Këtu u fut në lojë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër. Ajo, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në prezencën e prokurorit të gatshëm, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Megian Gani Ademi, 32 vjeç.
I riu i forcave blu është specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër. Për shkak se Muaremi mori arratinë, tani Ademi akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë”, tha AMP.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ndërsa Agjencia e Mbikqyrjes Policore mbetet e angazhuar për të hetuar çdo paligjahmëri të kryer në rradhët e Policisë së Shtetit.