LAJMI I FUNDIT: Arrestohet vrasësi i oficerit të ARM-së në Batincë – e ekzekutoi para syve të vajzës së tij

LAJMI I FUNDIT: Arrestohet vrasësi i oficerit të ARM-së në Batincë – e ekzekutoi para syve të vajzës së tij

Në një operacion të përbashkët të Policisë së Maqedonisë së Veriut, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë të Shqipërisë, në Durrës u arrestuan dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanocë”.

Bazuar në informacionet e Policisë së Maqedonisë së Veriut, në Durrës u zhvillua një operacion ndërkombëtar policor, gjatë të cilit u arrestua M. Xh. (26), i lindur në Shkup. Sipas mediave maqedonase, bëhet fjalë për Musa Xhavitin, i dyshuar si autor i vrasjes së një ushtaraku të ARM-së në korrik të vitit të kaluar, në fshatin Batincë të Shkupit.

Në kohën kur dyshohet se kreu këtë vepër penale, ai prej një viti kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar për një tjetër vrasje. Sipas raportimeve, Musa Xhaviti ka një të kaluar të rëndë kriminale dhe brenda një viti dyshohet se ka vrarë dy persona. Vrasjet, sipas autoriteteve, janë kryer në vitet 2024 dhe 2025 në Batincë, pranë Shkupit.

Vrasja e ndodhur në korrik të vitit të kaluar tronditi opinionin publik, pasi 50-vjeçari Agim Muaremi, oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut, u qëllua për vdekje me dy plumba pranë hyrjes së fshatit Batincë. Sipas raportimeve, autori hapi zjarr para syve të vajzës së viktimës, ndërsa ata po udhëtonin me automjet.

Musa Xhaviti deri në qershor të vitit 2024 kishte vuajtur vetëm një dënim me burg për armëmbajtje pa leje. Vetëm një muaj pas lirimit nga burgu, ai dyshohet se kreu vrasjen e parë.