Ngjarje tragjike| 35 vjeçari vret dy persona më pas edhe vetën
Ish-dhëndri, vrau ish-vjehrrin, plagosi për vdekje ish-vjehrrën, rrëmbeu ish të fejuarën dhe i dha fund jetës së tij.
Gazetari nga Shqipëria, Martin Marku, në emisionin “Kosova Today”, tha se 35-vjeçari ka shkuar në banesën e ish-partneres në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku edhe pati përplasje fizike mes tij dhe prindërve të ish të fejuarës.
“Aty ka ndodhur edhe vrasja, ku është ekzekutuar me armë e gjahut, ish-vjehrri. Më pas është plagosur ish-vjehrra e tij, dhe kjo e fundit pas disa orësh humbi jetën në spital. Pas konfliktit dhe vrasjes, 35-vjeçari ka rrëmbyer me forcë 24-vjeçaren, dhe e ka mbajtur peng për disa orë në një zonë të thellë malore”, u shpreh Marku.
Sipas tij, pavarësisht forcave të shumta të policisë të cilët nuk arritën që ta bindin që të dorëzohej, 35-vjeçari la të lirë ish-partneren pas katër orëve, ndërsa i dha fund jetës së tij.
“E kishte si një vetëmbrojtje, pra e mbante për disa orë pasi ndihej më i sigurt. Për këtë arsye, të paktën rrëfimi që ai ka dhënë te ish e fejuara e tij, dhe deklaratat që kjo e fundit ka dhënë në polici, dyshohet se ka qenë kjo arsyeja pse ai e ka mbajtur peng”, tha gazetari në Klan Kosova.
Pos tjerash, gazetari Marku tha se një shumë e madhe parash dyshohet se shtynë të dyshuarin të kryente aktin kriminal.