Vapa ekstreme godet Zvicrën – meteorologët paralajmërojnë temperatura rekord
Zvicra pritet të përballet me një valë të fortë të të nxehtit nga e enjtja deri në fundjavë, me temperatura që në disa zona mund të arrijnë deri në **40 gradë Celsius**, sipas parashikimeve të meteorologëve.
Sipas gazetës zvicerane **SonntagsZeitung**, bëhet fjalë për temperatura rekord, të cilat pritet të shënohen edhe gjatë **Ditës Kombëtare të Zvicrës**, më **1 gusht**.
Peter Wick, drejtues i **Meteonews**, deklaroi se gjatë 30 viteve të karrierës së tij si meteorolog, është hera e parë që modelet meteorologjike parashikojnë temperatura deri në 40°C në disa zona në anën veriore të Alpeve.
“Kam qenë parashikues moti për 30 vjet, por këtë javë, për herë të parë, pashë modele që parashikojnë temperatura lokale deri në 40 gradë Celsius në veri të Alpeve”, tha Wick.
Sipas tij, Zvicra mund të tejkalojë valët historike të të nxehtit të viteve **2003** dhe **2018**, të cilat konsiderohen ndër më ekstremet në historinë e vendit.
Për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar nga zjarret, në shumë kantone dhe komuna tashmë është në fuqi **ndalimi i ndezjes së zjarreve**, masë që pritet të mbetet në fuqi edhe gjatë festimeve të 1 gushtit.
Ndikimi i kushteve atmosferike tashmë po reflektohet edhe në treg. Shitësit e fishekzjarrëve raportojnë rënie të shitjeve, ndërsa pirotekniku zviceran Urs Corradini u ka bërë thirrje autoriteteve lokale të gjejnë alternativa të sigurta për organizimin e festimeve, si krijimi i zonave të posaçme të mbikëqyrura nga shërbimet zjarrfikëse për përdorimin e fishekzjarrëve.