Tragjedi në Kosovë: 3-vjeçari humb jetën pasi u ngulfat gjatë një grilli familjar
Tragjedi në Kosovë: 3-vjeçari humb jetën pasi u ngulfat gjatë një grilli familjar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtimen, ku një fëmijë vetëm 3 vjeç ka humbur jetën pasi dyshohet se u ngulfat me një copë mishi gjatë një grumbullimi familjar.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi në oborrin e shtëpisë, ku familja po përgatiste një grill. Dyshohet se vogëlushi mori një copë mishi, e cila i bllokoi rrugët e frymëmarrjes.
Familjarët reaguan menjëherë duke tentuar t’i japin ndihmën e parë, ndërsa më pas e transportuan me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime. Mjekët arritën të largonin copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur pa puls dhe pa shenja jete.
Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u transferua në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ekipet mjekësore vazhduan përpjekjet për reanimim. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve, jeta e tij nuk mundi të shpëtohej dhe vdekja u konstatua në mbrëmje.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Policia dhe njësitë e forenzikës kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është regjistruar si “Hetim i vdekjes” dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.