E dhimbshme: Aksidenti fatal i merr jetën 19-vjeçarit Ermal Shala

Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Llazicë të Malishevës, ku ka humbur jetën 19-vjeçari Ermal Shala.

Sipas informacioneve të para, i riu dyshohet se është vetëaksidentuar me motoçikletë në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve emergjente, mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij.

Lajmi për ndarjen nga jeta e 19-vjeçarit është konfirmuar edhe nga familjarët dhe të afërmit përmes rrjeteve sociale. Detajet lidhur me ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në orët në vijim.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlera Krasniqi, bëri të ditur se rreth orës 15:40 policia ka pranuar njoftimin për rastin, ndërsa njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot, rreth orës 15:40, në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Llazicë të Malishevës, dyshohet se një person është vetëaksidentuar me motoçikletë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku ka konstatuar se drejtuesi i motoçikletës, mashkull 19-vjeçar, ishte pa shenja jete. Policia është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi ajo.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident fatal.