“Nuk vij në stadium” – Presidenti i Argjentinës tregon arsyen e çuditshme për mungesën në finale
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos e ndjekë nga stadiumi finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, e cila zhvillohet më 19 korrik në orën 21:00.
Milei ka zgjedhur të mos ndryshojë rutinën që, sipas tij, i ka sjellë fat kombëtares argjentinase gjatë gjithë turneut. Kreu i shtetit i ka ndjekur të gjitha shtatë ndeshjet e “Albicelestes” nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe ka bërë të ditur se edhe finalen do ta shohë nga i njëjti vend.
“Do të vazhdoj t’i shoh të gjitha ndeshjet nga Olivos”, ka deklaruar Milei, duke hequr dorë nga mundësia për ta ndjekur finalen në stadium, ku pritet të jenë presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Presidenti argjentinas ka zbuluar edhe një nga besëtytnitë e tij gjatë këtij Botërori. Ai ka treguar se ka mbajtur të njëjtën xhaketë gjatë çdo ndeshjeje të Argjentinës, pasi kur e kishte hequr gjatë sfidës ndaj Zvicrës, kundërshtarët kishin arritur të shënonin gol.
Këto lloj ritualesh, të njohura në Argjentinë si “cábalas”, janë pjesë e kulturës së futbollit në këtë vend. Shumë tifozë, por edhe figura publike, ruajnë zakone të caktuara gjatë turneve të mëdha, duke besuar se ato mund të ndikojnë në fatin e ekipit.
Vendimi i Mileit lidhet edhe me një traditë të krijuar në Argjentinë që nga Botërori i vitit 1990. Shumë presidentë argjentinas kanë shmangur praninë në ndeshjet vendimtare të kombëtares, pas një episodi me ish-presidentin Carlos Menem.
Në atë kohë, vizita e Menemit para humbjes së Argjentinës ndaj Kamerunit u konsiderua nga tifozët si një ogur i keq. Që atëherë, ai u etiketua si “mufa”, një term i përdorur në Argjentinë për personat që besohet se sjellin ters.