TRONDITËSE: Sulmohet një autobus me shqiptarë në Gjermani – dalin detajet e para
Mediat gjermane kanë publikuar informacione të reja lidhur me sulmin ndaj një autobusi me pasagjerë shqiptarë, i cili po udhëtonte nga Barcelona drejt Shqipërisë dhe po kalonte nëpër Gjermani.
Sipas gazetës gjermane **BILD**, tre persona të armatosur kanë ndaluar autobusin në autostradën **A93**, pranë daljes **Aiglsbach**, duke përdorur sinjale drite dhe duke u paraqitur si efektivë policie.
Sipas raportimeve, pasi autobusi është ndalur në një parking për udhëtarë, personat e dyshuar kanë hyrë në mjet me pretendimin se po kryenin një kontroll policor. Më pas, ata dyshohet se u kanë kërkuar pasagjerëve para dhe dokumente.
Pas grabitjes, të dyshuarit janë larguar me një automjet **Volkswagen** të bardhë në drejtim të Mynihut.
Hetimet për rastin po udhëhiqen nga Policia Kriminale në **Landshut**, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacione të dobishme të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Ndërkohë, Shoqata Bavareze e Kompanive të Autobusëve e ka cilësuar ngjarjen si të pazakontë, duke theksuar se raste të ngjashme nuk janë regjistruar më parë në Bavari.
Sipas Prokurorisë në **Regensburg**, autobusi kishte nisur udhëtimin nga Barcelona dhe po kthehej drejt Shqipërisë përmes Cyrihut. Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.