Dëshmia prekëse e nënës së 14-vjeçares së ndjerë trondit Maqedoninë: “Duhet të zbulohet e vërteta dhe personi që e shtyu në luhatëse”
### Dëshmia prekëse e nënës së 14-vjeçares së ndjerë trondit Maqedoninë: “Duhet të zbulohet e vërteta dhe personi që e shtyu në luhatëse”
“**Ajo ishte hëna ime…** Atë ditë kishte dalë me nipin dhe vajzën e kunatit te luhatëset. Kishin blerë kifle, më telefonoi dhe i thashë të mos rrinte shumë. Më tha ‘mirë’, më përshëndeti me dorë dhe më tha: ‘Mirupafshim, mami’. Pas pak më telefonoi vajza e kunatit dhe më tha të merrja kartelën shëndetësore dhe të shkoja me taksi në spital, sepse vajza ime ishte e mbuluar me gjak. Kur arrita dhe e pashë Naziren, e kuptova menjëherë se vajza ime kishte ndërruar jetë.
**Kërkoj drejtësi. Nga ajo luhatëse nuk mund të bjerë vetë e të humbasë jetën. Ajo luhatëse duhet të shtyhet nga një i rritur që të ndodhë një gjë e tillë. Kërkoj të gjendet personi që e luhati**”, rrëfen për *Roma Pres* Zufa Sherifi, nëna e 14-vjeçares Nazire nga Kavadari, e cila më 9 korrik u dërgua pa shenja jete në spitalin e Gostivarit.
Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, e mitura kishte rënë nga një luhatëse në parkun e Gostivarit, pas së cilës u transportua me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Gostivarit. Në orën 20:55, mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e saj.
Në deklaratën e saj për *Roma Pres*, nëna thekson se e vërteta për vdekjen e vajzës së saj duhet të zbardhet dhe të identifikohet personi që e shtyu në luhatëse.
“**Kam qenë në polici. Më thanë se duhet të kontrollohen kamerat. Le të kontrollohen sa më shpejt, sepse rreth luhatëseve ka plot kamera! A janë marrë gjurmët e gishtërinjve? Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, kishte shumë gjak, por nuk janë marrë as dhëmbët e saj. Katër dhëmbë m’i sollën fqinjët. Nuk kërkoj asgjë, asnjë dëmshpërblim. Dua vetëm të gjendet personi që e luhati dhe të dënohet me burgim të përjetshëm. Ma mori hënën time, yllin tim**”, thotë mes lotësh nëna.
Pas ngjarjes, Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se është njoftuar prokurori publik, i cili ka urdhëruar që trupi i së ndjerës t’i nënshtrohet autopsisë. Pas përfundimit të hetimeve dhe përcaktimit të plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes, institucionet kompetente pritet të japin më shumë detaje.