Aksident i rëndë! Mori fshehurazi makinën e babait, përfundon në shtyllë me 6 të plagosur – detaje

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e gjashtë të miturve është regjistruar mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit, në Mirditë.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili dyshohet se e kishte marrë mjetin pa lejen e babait të tij. Për rrethana që mbeten ende nën hetim, i mituri ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi.

Si pasojë e përplasjes, u plagosën gjashtë të mitur, të gjithë kushërinj mes tyre. Burime paraprake bëjnë me dije se një vajzë 12-vjeçare ka pësuar thyerje të legenit, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë marrë fraktura në gjymtyrë. Katër të plagosurit e tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme.

Të lënduarit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan drejt spitaleve në Tiranë për trajtim më të specializuar. Për transportimin e tyre u angazhuan gjashtë autoambulanca.

Sipas mjekëve, gjashtë të miturit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e aksidentit mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Ndërkohë, 16-vjeçari është proceduar sipas ligjit, ndërsa hetimet vijojnë.