Dibra rrezikon të mbetet pa gjykatë të pavarur: BDI kundërshton propozim-ligjin për gjykatat

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Dibër ka shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim ndaj draftit aktual të Propozim-Ligjit për Gjykatat, i cili, sipas tyre, rrezikon të eliminojë statusin e pavarur të Gjykatës Themelore të Dibrës dhe ta vendosë këtë institucion nën administrimin e Gjykatës Themelore të Kërçovës.

Sipas Nenit 28 të projektligjit, Gjykata në Dibër do të humbasë statusin si institucion i pavarur dhe do të kthehet në një degë administrative vartëse nga Kërçova. Kjo do të thotë se vendimet dhe menaxhimi i gjykatës do të kalojnë jashtë komunës së Dibrës.

Në bazë të Nenit 109, gjyqtarët dhe stafi administrativ i Dibrës do të integrohen në strukturën e Gjykatës në Kërçovë dhe, pas pensionimit të gjyqtarëve aktualë në Dibër, vendet e punës të reja nuk do të hapen më në Dibër, por në Kërçovë. Madje orari i punës së gjyqtarëve në Dibër do të vendoset nga udhëheqja në Kërçovë.

Kjo reformë po krijon shqetësim te banorët dhe përfaqësuesit lokalë, pasi godina e gjykatës në Dibër rrezikon të mbetet vetëm si një hapësirë fizike, pa kompetenca e vendimmarrje reale. Buxheti, menaxhimi i rasteve dhe vendimmarrja do të zhvendosen jashtë komunës.

BDI në Dibër thekson se një gjë e tillë mund të çojë në trajtim të pabarabartë të qytetarëve të këtij rajoni në sistemin e drejtësisë, potencialisht duke i lënë ata pa akses të drejtpërdrejtë dhe të barabartë si qytetet e tjera me gjykata të pavarura.

Ndërkohë që reforma synon riorganizimin e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, shqetësimet në Dibër janë bërë publike dhe mund të krijojnë debat të mëtejshëm për zbatimin dhe pasojat konkrete të ligjit në komunitetet lokale.

Sipas raportimeve nga disa media lokale dhe zyrtarë të BDI-së në Dibër, ky është një moment kyç për të siguruar që institucionet e drejtësisë të qëndrojnë afër qytetarëve dhe jo ta zhvendosin autoritetin në qytete të tjera, duke quar në disavantazh rajonin e Dibrës në drejtësi.