Kos tregon kushte të forta për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, bëri me dije se për Maqedoninë e Veriut ndryshimet kushtetuese mbeten kusht i pandryshueshëm në procesin e integrimit në BE. Kjo deklaratë erdhi pak para vizitës së saj zyrtare në vend.
Sipas Kos, asnjë vend kandidat nuk ka marrë, dhe as nuk mund të marrë, garanci që gjatë negociatave të anëtarësimit nuk do të lindë ndonjë mosmarrëveshje dypalëshe e re. Ajo theksoi se ky është realiteti i procesit të zgjerimit të BE-së, i cili duhet pranuar nga të gjithë aktorët përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Një tjetër element kyç, sipas Komisioneres, është përfshirja e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si kushti i vetëm që mbetet për të vijuar procesin e integrimit evropian të vendit.
Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe besimit të ndërsjellë në përparimin e këtij procesi. “Kur besimi i ndërsjellë rritet, procesi i pranimit bëhet më i sigurt”, tha Marta Kos në një intervistë për agjencinë MIA.
Komisionerja shtoi se këtë vjeshtë Komisioni Evropian do të propozojë mënyra të reja që vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të afrohen më shumë me BE-në para pranimit të plotë.
Këto deklarata rrisin pritshmëritë, por edhe tensionet rreth procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ku çështjet kushtetuese dhe marrëdhëniet fqinjësore do të luajnë rol kyç në vijimësinë e negociatave.