Publikohen pamjet e evakuimit të trupave të dy alpinistëve që humbën jetën (VIDEO)
Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme e Federatës Ruse ka publikuar pamje nga mali **Elbrus**, ku shihen kushtet jashtëzakonisht të vështira atmosferike në të cilat po zhvillohet operacioni për nxjerrjen e trupave të alpinistëve që humbën jetën gjatë ngjitjes në majën më të lartë të Evropës.
Në video shihen më shumë se dhjetë anëtarë të ekipeve të shpëtimit duke punuar në mes të një stuhie të fortë bore dhe erërave të fuqishme, ndërsa dukshmëria në disa pjesë të malit është pothuajse zero.
Sipas autoriteteve ruse, ekipet e shpëtimit arritën të lokalizojnë trupat e dy alpinistëve, t’i transportojnë në zonën e **Azau** dhe t’ia dorëzojnë ekipit hetimor të organeve kompetente.
Në operacionin e së dielës morën pjesë 16 persona, përfshirë pjesëtarë të Njësisë së Kërkim-Shpëtimit në lartësi të Elbrusit, ekipit special “Leader”, shërbimit “Kavkaz.RF” dhe guida lokale malore.
Trupat e evakuuar janë identifikuar si **Nermin Talam (44)** dhe **Almir Krivdiq (63)**, të dy nga Zenica, Bosnje dhe Hercegovinë.
Në tragjedinë që ndodhi në malin Elbrus humbën jetën gjithsej **pesë alpinistë nga Bosnja dhe Hercegovina**. Përveç Talamit dhe Krivdiqit, jetën e humbën edhe **Meliha Çausheviq, Alma Okanoviq dhe Denis Okanoviq**.
Dy alpinistë të tjerë, **Haris Adiloviq** dhe **Kemal Vidimliq**, i mbijetuan ngjarjes tragjike dhe ndodhen në spital, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Linkun e videos e keni me posht!