Tentoi t’i ikte Policisë me Audi Q8 me targa gjermane, ja çka ju gjet në makinë?
Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në Ferizaj ka rezultuar me procedimin e një 20-vjeçari, i cili dyshohet se posedonte substanca narkotike.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në rrugën “12 Qershori”, ku zyrtarët policorë ndaluan për kontroll një veturë Audi Q8 me targa gjermane.
Gjatë verifikimit, pasagjeri i automjetit, i identifikuar sipas raportimeve si Bujar Haziri, shfaqi sjellje të dyshimtë. Në momentin kur policët kërkuan ta kontrollonin, ai tentoi të largohej me vrap nga vendi i ngjarjes, por u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër nga zyrtarët policorë.
Kontrolli trupor i kryer më pas, sipas burimeve, çoi në gjetjen e një qeseje që përmbante rreth 3.39 gram marihuanë, si dhe një cigareje të mbështjellë me marihuanë me peshë 0.58 gram. Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua si provë materiale.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, i riu është intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa organet kompetente kanë vazhduar hetimet për sqarimin e plotë të rastit.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.