Refuzoi Kosovën, tani Borussia Dortmund i tregon derën: “Nuk kemi më nevojë për ty”
Portieri gjerman me origjinë nga Kosova, Diant Ramaj, pritet të largohet nga Borussia Dortmund, pasi trajneri Niko Kovaç nuk llogarit më në shërbimet e tij.
24-vjeçari u rikthye në Dortmund pas huazimit te Heidenheim, me shpresën se do të fitonte një vend në ekipin e parë. Megjithatë, sipas mediave gjermane, ai është njoftuar se nuk bën pjesë në planet e klubit.
“Zhvillimi i tij nuk i përmbushi pritshmëritë e klubit. Niko Kovaç nuk e sheh si pjesë të skuadrës dhe edhe vetë lojtari dëshiron të largohet”, citojnë burime pranë klubit.
Për momentin nuk ka oferta konkrete për Ramajn, edhe pse pritet që ai të gjejë një klub të ri gjatë afatit kalimtar.
Ramaj iu bashkua Borussia Dortmundit në shkurt të vitit 2025 dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 7 milionë euro, çmim që besohet se po i pengon klubet e interesuara të bëjnë ofertë.
Gjatë karrierës ai ka luajtur për Heidenheim, Copenhagen, Ajax dhe Eintracht Frankfurt.
Ramaj u bë objekt kritikash edhe pak muaj më parë, kur refuzoi ftesën për të luajtur me Kombëtaren e Kosovës, duke besuar se kishte mundësi të ftohej nga përfaqësuesja e Gjermanisë.
Megjithatë, deri tani ai nuk ka marrë ftesë nga Gjermania, ndërsa në Kosovë vendimi i tij është pritur me reagime të ashpra. Një pjesë e tifozëve e kanë cilësuar si tradhti refuzimin për të veshur fanellën e Kosovës.