Stuhia e madhe mer viktimën e parë. Një person humb jetën në Pozharan

Tragjedi gjatë motit të keq në Kosovë: Humb jetën një 61-vjeçar në Viti, dy persona të tjerë lëndohen

 

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së martës në fshatin Pozheran të komunës së Vitisë, ku një person humbi jetën si pasojë e motit të keq që përfshiu zonën.

 

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 16:30, një 61-vjeçar dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, duke pësuar lëndime të rënda në kokë.

 

Ai u transportua me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, por mjekët konstatuan se kishte mbërritur pa shenja jete.

 

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat në koordinim me Prokurorin e Shtetit po zhvillojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

 

Përveç viktimës, moti i keq shkaktoi edhe lëndimin e dy personave të tjerë në Pozheran, pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre u rrëzuan nga kushtet atmosferike. Ata morën trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit dhe më pas u liruan për në shtëpi.

 

Policia u ka bërë apel qytetarëve që gjatë motit të paqëndrueshëm të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.