KAOS NË GOSTIVAR: Mbi 1.000 qytetarë përfunduan në spital – Prokuroria nis hetimet

**Mbi 1.000 qytetarë në Gostivar, përfshirë edhe fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë ditëve të fundit për shkak të simptomave si të përziera, të vjella dhe diarre. Dyshohet se uji i pijshëm nga burimi i Vrutokut mund të jetë ndotur me ujëra të zeza.**

Spitali i Gostivarit njoftoi se, për shkak të numrit të madh të pacientëve, është përforcuar stafi mjekësor në repartet më të ngarkuara.

“Sa i përket epidemisë që është përhapur në Gostivar gjatë 3-4 ditëve të fundit, kemi pasur një numër të madh pacientësh që kanë marrë ndihmë mjekësore në institucionin tonë. Për këtë arsye kemi rritur numrin e personelit mjekësor në repartet ku ka fluks më të madh. Shumica e pacientëve paraqiten me simptoma të njëjta, si të vjella, diarre, dhimbje stomaku, temperaturë dhe dobësi. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në repartin e Infektologjisë, Pediatrisë dhe në Njësinë Emergjente”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Në hetimin e rastit është përfshirë edhe Prokuroria.

“Me urdhër të prokurorit publik po ndërmerren veprime lidhur me kallëzimin e paraqitur për cilësinë e ujit të pijshëm”, njoftuan shkurt autoritetet.

Edhe policia ka ndërmarrë masa urgjente në terren në fshatin Vrutok, pas dyshimeve për ndotjen e ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit.

Sipas dyshimeve fillestare, janë vendosur pompa përmes të cilave është futur ujë i ndotur në gypin kryesor që furnizon qytetin me ujë, me qëllim rritjen e sasisë së ujit. Rasti është në hetim dhe autoritetet pritet të dalin me informacione shtesë pas analizave dhe verifikimeve.